Cfare pi Dritan Prifti

August 1, 2010

Mire ky, po ai tjetri qe ben 1.8 milion Euro per 2 vjet cfare ka pireShqiptarët duan të dinë çfarë pi Edi Rama?

Po ku di unë mor mik se çfarë dreqin duan të dinë shqiptarët; unë nuk jam drejtues Lë-Së-Ist rrogëtar në Ministrinë e Ekonomisë, se ata me sa duket e paskan të lidhur spinën me të gjithë shqipot dhe e ditkërkërshin se çduan të dinë këta të fundit, jo or jo, unë dua të di se çfarë pi Dritani.

Se ja edhe e mësova se çpi Rama, e çfarë pastaj? Punë pa bereqet. Rama në humbje është, sillet rrotull e rrotull si kau në lëmë, e prej një viti nuk shin dot as grurin e tij e jo më timin, ndaj nuk ma ndjen hiç të di se çfarë pi Rama.

Por, o shoku, në ke Zot më thuaj çfarë pi Dritani, që ta pi edhe unë e të bëj 1.8 milion euro për 2 vjet mor amani, se na u tha syri fare more

Ta pi dhe të dal ashtu si gjel kokoshi majë plehut e të them çtë më vijë për mbarë e të mos më hyjë gjemb në këmbë.

Ta pi e të bëhem humoristi i javës, njëlloj si ai që na shkriu gazit me gjithë ato qyfyre që këput ditën për diell.

Nëse e di kush, ju lutem ma thoni, madje hapni llafin, ta pimë të gjithë si popull (trim, liridashës dhe posaçërisht punëtor sikundër jemi) e të gdhihemi nesër pasanikë e hokatarë, si na ka hije, se boll kemi vuajtur ndër shekuj.

Zbulimi i asaj se çfarë pi Dritani e që e bën super të suksesshëm gjithandej nga shkon e që shndërron në ar çdo gjë që ai prek (jo thjesht metaforikisht), është një mision patriotik për cilindo, një mision që duhet ndjekur me vetëmohim edhe më të madh se sa integrimi i vendit në BE, e madje edhe se sa zbulimi i misterit të masakrës së Varitrarit.

Dhe pasi ta mësojmë e të bëhemi populli i përzgjedhur, atëherë ne do të kemi vetëm një fe: Lë-Së-Izmin, dhe vetëm një Zot: Priftin tonë alkimist.

(huazuar nga: http://xhaxhai.wordpress.com/2010/07/30/cfare-pi-dritani-mor-amani/)

Leave a Reply

You must be logged in to post a comment.